fbpx
Mars 16, 2023

“Kontributi në Kosovë, borxhi që i duhet kthyer vendlindjes”

Nga Germin-939 Shikime-Asnjë koment

Kreshnik Rama asnjëherë nuk ka jetuar në Kosovë. I lindur në vitin 1993 në Suedi, ai jetesën dhe punën në Kosovë e kishte një nga pengjet e tij më të mëdha.

Prandaj, kur pa thirrjen e GERMIN në kuadër të Programit për Angazhim Qytetar, për angazhimin e profesionistëve të diasporës që të kontribuojnë në ngritjen e kapaciteteve të organizatave joqeveritare të Kosovës, ai nuk pati asnjë dilemë që duhej të aplikonte.

Kreshniku ka mbaruar studimet për inxhinieri të makinerisë dhe është i specializuar në sistemet e energjisë së ripërtëritshme – fushë që në Kosovë ka shumë mungesë. Rrjedhimisht, kontributin e tij vullnetar e ka dhënë për dy muaj në organizatën joqeveritare Sustainability Leadership Kosova (SLK).

“Gjatë kohës sime në SLK e kam ndihmuar organizatën të zhvillojnë një instrument që SLK-ja mund ta përdorë që kur analizojnë kompani/organizata të ndryshme, të dihet se si të dokumentohet ndikimi i tyre në mjedis”, shprehet Kreshniku.

Qëndrimi në Kosovë për dy muaj dhe puna në një organizatë joqeveritare, ka qenë ëndërr që është realizuar për Kreshnikun.

“Krejt këto i kam bërë me qejf që të krijojë një mendim se si do dukej jeta në Kosovë, nëse kisha vendosë të kthehem ose nëse teorikisht prindërit e mi nuk do vinin asnjëherë në Suedi”, thotë ai.

Mikpritja nga kolegët në SLK dhe miqësitë që i ka krijuar gjatë qëndrimit në Kosovë, e kanë befasuar për të mirë.

“Përmes SLK-së kam njohur shumë kompani dhe organizata të ndryshme që më kanë ndihmuar të kuptoj se si janë kushtet në Kosovë”, shprehet Kreshniku.

Për kontributin në Kosovë, ai e ndjen një nevojë të brendshme që e cilëson si ‘borxh’ që i duhet kthyer vendlindjes.

“Unë jam lind në Suedi dhe kurrë nuk kam jetuar në Kosovë, por prindërit e mi nuk kanë pas tjetër mundësi dhe mendoj që unë bashkë me prindërit ia kemi borxh këtë Kosovës”, thotë ai.

Si një person që është lindur dhe rritur jashtë Kosovës, ai kontributin për vendlindjen e prindërve nuk e sheh vetëm përmes remitancave, por mbi të gjitha duke ndarë dijen në fusha të caktuara.

“Fakulteti që unë e kam përfunduar në Suedi (Chalmers University) konsiderohet si një prej fakulteteve më të mira në Evropë në fushën e mjedisit, kështu që e shoh vetën që kontributin më të madh që mundem ta jap është jo ndërmjet mënyrës financiare por përmes përgatitjeve të mija – e kjo përmes angazhimit tim në Kosovë”, shprehet Kreshniku.

Nga puna dy mujore në Kosovë që e ka bërë në kuadër të Programit për Angazhim Qytetar, Kreshniku ndihet shumë krenar për një gjë.

“Jam shumë krenar me instrumentin që e kemi zhvilluar dhe kam shpresa që SLK-ja mund ta përdorë këtë instrument më tutje”, thotë Kreshniku me krenari.

Që kontributi i Kreshnikut do të jetë afatgjatë për SLK-në e thotë edhe Menaxheri i Projekteve në këtë organizatë, Shpetim Shujaku. Ai thotë se organizatat joqeveritare dhe institucionet në Kosovë duhet të shfrytëzojnë dijen që ka diaspora shqiptare, në mënyrë që të ngritën kapacitetet në fusha të ndryshme. Sipas tij, ka një interesim të madh të diasporës që të kontribuojnë në Kosovë por ka mungesë të projekteve për angazhimin e tyre. Prandaj, kur SLK-ja pa thirrjen për angazhim të profesionistëve, aplikoi menjëherë që të angazhohet një profesionist në fushën e mjedisit.

“Kur e kemi parë mundësinë që e keni ofruar ju, menjëherë kemi vendosur të aplikojmë pasi e kemi parë që është e nevojshme ta kemi një person që e ka një profil si Kreshniku, që të angazhohet për një kohë në organizatën tonë dhe të na dhurojë një këndvështrim tjetër si një ekspert që vjen nga një shtet i zhvilluar në një shtet në zhvillim”, thotë Shpetimi.

Kreshniku gjatë periudhës tetor-dhjetor 2022 sa ka qëndruar në Kosovë, përmes SLK-së ka takuar disa biznese/ndërmarrje dhe organizata.

“Kreshniku ka marr pjesë në projektin ‘Diaspora Professional Tour’ që e kemi pasur nëpër Kosovë, ku kemi vizituar disa biznese, institucione dhe organizata të ndryshme që të shihet nga afër se si operojnë ato dhe në të njëjtën kohë u ka ofruar këshilla në aspektin se qysh të drejtohen ata drejt qëndrueshmërisë”, shprehet Shpetimi.

Sipas Shpetimit, është shumë e rëndësishme që të ketë angazhim të ekspertëve të diasporës në Kosovë, pasi thotë se të njëjtit edhe kanë njohuri për kontekstin kosovar.

“Nëse do vinte një i huaj me ekspertizë të madhe, por që nuk e kupton kontekstin e Kosovës, e ka shumë problem t’i identifikojë disa çështje të cilat shfaqen”, thotë Shpetimi

GERMIN përmes Programit për Angazhim Qytetar, përkatësisht angazhimit të ekspertëve të diasporës, kontribuon drejtpërdrejt në promovimin e diversitetit të burimeve për sektorin e shoqërisë civile, ku përveç burimeve financiare, qasja ndikon edhe tek burimet vullnetare të profesionistëve të diasporës, si nevoja imediate në rastin e SLK-së. Programi për Angazhim Qytetar në Kosovë është një iniciativë pesë vjeçare zbatuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

* Ky botim është bërë i mundur nga mbështetja bujare e popullit amerikan nëpërmjet Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja është përgjegjësi e GERMIN dhe nuk pasqyron domosdoshmërish pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.